75 Mall Live Search
12:14 / E Martë, 15 Tetor 2024 / L K

Afro 7 muaj i burgosur, Sadik Duraku lirohet nga burgu i Serbisë

Sadik Duraku, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK] është liruar nga burgu i Serbisë.

Këtë për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Leotrim Sahiti.

“Lirohet Sadik Duraku nga paraburgimi në Serbi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton që është liruar Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, i cili ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat gjoja për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla duke njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në përgjigjen e Sahitit.

Vlen të theksohet se Sadik Duraku është ndaluar nga 17 prill të këtij viti në kufirin serbo-hungarez, nga autoritetet serbe.

Që nga ajo kohë, Duraku po mbahej në një burg në Beograd, me akuzat për kryerjen e krimeve të luftës si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë rast, pati shkruar edhe mediumi britanik “BBC”, ku tha se “familja e një britaniku që po mbahet në një burg serb, po bën thirrje për më shumë ndihmë nga qeveria e Britanisë së Madhe, duke pretenduar se akuzat kundër tij janë të pabaza dhe të motivuara politikisht”.

Siç shkroi BBC, Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se “ne po e mbështesim një britanik të arrestuar në Serbi dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”.

“Në prill, Duraku u arrestua teksa po kalonte kufirin serbo-hungarez – një udhëtim që ai e kishte bërë shumë herë më parë. Këtë herë, ai u ndalua nga policia kufitare serbe dhe u akuzua për krime lufte që dyshohet se janë kryer si pjesëtar i UÇK-së”.