Agim Ademi falënderim publik Vjosa Osmanit, për dekorimin e Infantinos

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të dekorojë nesër presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Për këtë akt, Agim Ademi ka një falënderim publik për presidenten Osmani.
“E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, shkëlqesia Juaj, Vjosa Osmani,
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, të komunitetit të futbollit dhe të gjithë dashamirëve të këtij sporti, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për vlerësimin dhe nderin që do t’i bëni presidentit të FIFA-s, mikut të madh të Kosovës, Gianni Infantino, me dekorimin e tij gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë, të mërkurën.
Ky akt i lartë institucional është një dëshmi e respektit që Republika e Kosovës ka për rolin dhe kontributin e z. Infantino si president i FIFA-s, për zhvillimin e futbollit tonë dhe afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Gianni Infantino ka pasur fatin që në Kongresin e tij të parë si president, në vitin 2016, të shpallë Kosovën anëtare të barabartë të FIFA-s, një moment ky historik që e ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin tonë si shtet.
Po ashtu, nën udhëheqjen e tij, FIFA ka ofruar mbështetje të madhe për FFK-në përmes programit “FIFA Forward”, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e të rinjve dhe ngritjen profesionale të futbollit në Kosovë.
Ky vendim juaji, znj. presidente, forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet.
Dekorimi i presidentit Infantino është një vlerësim që shkon përtej individit dhe është një nder edhe për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë e të lavdishëm.
Në emër të FFK-së, edhe një herë dua t’ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sportit dhe për vizionin tuaj që Kosova të përfaqësohet me dinjitet në çdo fushë, përfshirë edhe atë të futbollit”, shkruan Ademi në njoftim./Indeksonline/