75 Mall Live Search
23:47 / E Enjte, 24 Gusht 2023 / Gj. Sh

Agim Ademi: Futbollistët e Ballkanit treguan karakter, vlerëson punën e trajnerit Ilir Daja

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka reaguar pas fitores 4-1 të Ballkanit ndaj bate Borisovit në ndeshjen e parë të play-offit të Conference League.

I pari i futbollit kosovar përgëzoi futbollistët e Ballkanit për lojën dhe karakterin e treguar, duke u rikthyer nga disavantazhi tek një fitore bindëse, shkruan IndeksOnline.

Ademi gjithashtu tha se e vlerëson dhe përgëzon punën e jashtëzakonshme të trajnerit Ilir Daja dhe stafit të tij, si dhe drejtuesit e klubit për ndërtimin e një skuadre triumfuese.

Ballkani shënoi sonte fitore me dy gola nga Bleart Tolaj dhe nga një gol të Bajram Jashanicës e Armend Thaqit.

Postimi i plotë:

Të lumtë FC Ballkani

Tjetër paraqitje spektakulare e FC Ballkanit në garat evropiane në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kësaj radhe kampioni ynë shënoi fitore në duel me skuadrën e njohur bjelloruse, Bate Borisov, me rezultat bindës 4:1, në ndeshjen e parë të fazës së “play-off”-it në UEFA Conference League.

Përgëzoj futbollistët portokallezi për lojën dhe karakterin e treguar, duke u rikthyer nga disavantazhi tek një fitore bindëse, e vlerësoj dhe përgëzoj punën e jashtëzakonshme të trajnerit Ilir Daja dhe stafit të tij, drejtuesit e klubit për ndërtimin e një skuadre triumfuese dhe qytetarët e Suharekës dhe të gjithë Kosovës për mbështetjen e madhe që po i japin FC Ballkani, që po na bën krenarë me paraqitjet në Evropë.

Kam besim të madh që skuadra e Dajës do të dijë ta menaxhojë këtë epërsi të madhe në ndeshjen e kthimit dhe për të dytin vit radhazi do të na përfaqësojë në fazën e grupeve në UEFA Conference League.

Urime e ju priftë e mbara!/IndeksOnline/