75 Mall Live Search
09:09 / E Martë, 03 Nëntor 2020 / A. M.

Agim Ademi nuk mëson nga gabimet, vazhdon premtimet boshe

Andi Zeqiri aktualisht është njëri ndër sulmuesit më premtues shqiptar në botë. 21 vjeçari u transferua në Premier Ligë te Brighton and Hove Albion, ndërsa fundjavën e kaluar ai u ftua nga trajneri Graham Potter në ndeshjen kundër Tottenham Hotspur.

Derisa Zeqiri vazhdon më formën e mirë me Zvicrën U21, ende nuk ka vendosur përfundimisht se cilën kombëtare do ta përfaqësojë, Zvicra dhe Kosova janë në ‘luftë’ për të, shkruan Indeksonline.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka disa muaj që ka garantuar se Zeqiri do ta veshë fanellën e Kosovës por edhe më tutje këto mbeten vetëm fjalë.  

“Andi Zeqiri, mund të vij në shtator te Kosova. Zeqiri është diçka e përfunduar, e ka zgjedhur Kosovën. Në tetor do ta shihni Zeqirin me fanellën e Kosovën” kishte deklaruar Ademi në muajin gusht.

Sulmuesi shqiptar jo që nuk erdhi në shtator e tetor te Kosova, por Indeksonline mëson se ai nuk do të vijë as në nëntor për 3 ndeshjet e ardhshme. Edhe pse premtimi i Agim Ademit asnjëherë nuk u realizua, ai vazhdon me politikën e njejtë.

Ky është qëndrimi i fundit i tij rreth mungesës së Zeqirit: “U-21 i Zvicrës është aktualisht duke garuar për t’u kualifikuar në Evropë dhe ai na ka pyetur edhe ne se a mund të vazhdojë të luajë edhe në ndeshjet e mbetura. Besoj se pas përfundimit të kësaj gare, Andi do të jetë me ne. Nuk besoj se fjalët e tij nuk do të qëndrojnë edhe pse mediat në Zvicër raportojnë më ndryshe”

Muajin e kaluar, menaxheri i Andi Zeqirit, Michel Urscheler, doli me qëndrim zyrtar se klienti i tij është i përkushtuar të luaj për kombëtaren e Zvicrës.

/Indeksonline/