15:49 / E Hënë, 22 Prill 2024 / A. M.

Agim Ademi pret në takim homologun nga Maqedonia Veriore, shqiptarin Sejdini

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u takua ditën e sotme me presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamet Sejdini.

Ata diskutuan për bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet dy federatave, e sidomos në grup moshat e reja, futbollin e vajzave si dhe për sistemin VAR.

Postimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë ta mirëpres mikun tim, presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamet Sejdini.

E përgëzova për punën e deritashme dhe për Asamblenë e suksesshme të punës të mbajtur në fundjavë, ku u konfirmua avancimi i futbollit atje nën drejtimin e tij.

Diskutuam për bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet dy federatave, e sidomos në grupmoshat e reja dhe në futbollin e vajzave, që eventualisht të bëjmë një lloj kompeticioni të përbashkët me nga 3-4 ekipe nga secili kampionat te U13 dhe U14.

Po ashtu, diskutuam edhe për sistemin VAR, në mënyrë që sa më parë të instalohet edhe në futbollin e Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim ia shpreha gatishmërinë presidentit Sejdini që ekipet e VAR-it nga Kosova të ndihmojnë në këtë proces.