10:21 / E Premte, 08 Janar 2021 / OSH

Agim Aliu: Më së largu nesër do të nisen dy pacientët për shërim në Austri

Nga shpërthimi në Ferizaj ku mbetën të lënduar dhjetëra qytetarë, prej tyre 6 në gjendje më të rëndë, dje, 4 prej tyre u nisën për trajtim mjekësor në Turqi, kurse 2 të tjerët do të nisen së shpejti për trajtim në Austri.

Kështu bëri të ditur mbrëmë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Ndërsa në një prononcim për IndeksOnlinen bëri të ditur se këta dy pacientë do të udhëtojnë sot ose nesër për t’u trajtuar në Austri.

“Sot ose nesër më së largu do udhëtojnë të dy pacientët për në Austri, kjo varet edhe nga plotësimi i dokumentacionit, i cili varet nga Ministria e Shëndetësisë, e cila është bartëse e këtij aktiviteti.

Ka mundësi që sot gjatë ditës të udhëtojnë, po sipas kontakteve që kemi me MSH-në më së largu nesër do të udhëtojnë”, tha ai për IndeksOnline.

IndeksOnline gjatë ditës së djeshme ka raportuar për largimin e këtyre dy pacientëve, Enverit dhe Fidanit, nga lista për t’u trajtuar në Turqi.

Ndërkohë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se dy pacientët në fjalë, bashkë me pacientët tjerë të lënduar, po marrin trajtimin e vazhdueshëm mjekësor nga profesionistët shëndetësorë të QKUK-së.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju njofton se, dy personat e djegur, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në qytetin e Ferizajt, nuk janë larguar nga lista për dërgim në Turqi, por po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të shkallës më të vogël të djegies”, thuhej në njoftim./IndeksOnline/