75 Mall Live Search
18:19 / E Enjte, 26 Qershor 2025 / Z S

Agim Aliu rikandidon përsëri për të parin e Ferizajit, synon mandatin e katërt me radhë

Kryetari i Komunës së Ferizaj, Agim Aliu që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës do të kandidojë përsëri në garën për të parin e komunës.

Kjo është bërë e ditur nga vetë ai përmes një statusi të gjatë në rrjetin social në Facebook.

Ai është shprehur se përgjatë viteve të bashkëqeverisjes i dha Ferizajt atë që i takonte prej kohësh, atë që meriton çdo ferizajas.

Postimi i plotë:

Ferizajasit e mi të dashur, PO është gjithmonë përgjigja ime për ju, për ma të mirin Ferizaj!

Pak më shumë se 100 ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale 2025. Përgjatë viteve të bashkëqeverisjes me ju, i dhamë Ferizajt atë që i takonte prej kohësh, atë që meriton çdo ferizajas, atë që ju i falët besimin e plotë e të palëkundur për ta bërë realitet atë që breza para nesh ëndërruan. Ne ecëm bashkë, ne bashkë e bëmë Ferizajn shembullin më kuptimplotë, kampion në çdo fushë të jetës, e ngjitëm në majën ku përket Ferizaj ynë.

Ju më dhatë më të shtrenjtën e më të çmueshmen tuajën – besimin tuaj, duke më veshur me nderin e jashtëzakonshëm, privilegjin e papërsëritshëm, përgjegjësinë më krenare, t’ju shërbej ju, në çdo ditë të punës sime.

Po, unë dhe ekipi im, jemi në punë, jemi çdo ditë me ju, bashkë ndajmë sukseset e sfidat, pa e ndalur asnjëherë hapin tonë për ta bërë gjithnjë më të mirën.

Është zëri juaj i sinqertë, është mbështetja e pamatshme dhe e gjithanshme e juaja, është dëshmia e prekshme e vizionit se një qytet mund të transformohet tërësisht për tu bërë model i Republikës, është thirrja juaj së cilës i kam thënë PO gjithnjë dhe i them PO sërish.

Për Ferizajn që pakrahasimisht rritet e zhvillohet çdo ditë, për Ferizajn e veprave identitare, për Ferizajn që e qeverisin ferizajasit me besimin e fjalën e tyre, për Ferizajn – dashurinë tonë të madhe për të cilën kemi nderin e detyrën t’i shërbejmë përulësisht.

Energjiplotë, pandalshëm, me punën dëshmitare, mirëpresim 12 Tetorin, fjalën tuaj që buron nga zemra, nga dashuria juaj për Ferizajn, nga i kristalti besim që nuk ndërtohet për një ditë, as për një fushatë zgjedhore, por që provat e dëshmitë i dha ndër vite.

Na priftë e mbara!

Falënderues përulësisht, përjetë!