15:03 / E Hënë, 06 Shtator 2021 / OSH

Agim Aliu thur lavde për biznesmenin ferizajas, Ibrahim Bucaliu që udhëheq “HIB-in” dhe Hotel “Emeraldin”

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu me anë të një postimi e ka vlerësuar lartë punën e biznesmenit ferizajas, Ibrahim Bucaliu.

May be an image of 1 person

Ky i fundit është pronar i gjigantit të karburanteve “HIB Petrol” dhe hotelit “Emerald”, transmeton Indeksonline.

Aliu e vlerësoi lart karrierën e Bucaliut dhe tha se shquhet edhe për shpirtin human.

Postimi i plotë i Agim Aliut:

Gjigandi i ekonomisë së Ferizajt, një nga më të mëdhenjtë biznese në Kosovë dhe gjithë gjeografinë shqiptare, taksapaguesi më i madh në arkën e shtetit, sukses ky i jashtëzakonshëm i kësaj përmase ka prapa, talentin, dijen, modestinë e humanizmin e ferizajasit të dalluar, pronarit të gjigandit të karburanteve “HIB”, Hotelit “Emerald” e një varg biznesesh të tjera me mijëra punëtorë anekënd vendit, shumë të respektuarin, ferizajasin e dalluar, Ibrahim Bucaliu.

Talenti e zhdërvjelltësia e tij në të bërit biznes zuri fill qysh herët, më 1972, bashkë me një grup shokësh, ndonëse iu përkushtua edhe studimeve për drejtësinë, të cilat i ndërpreu më vonë. Ishte biznesi me fruta-perime, nisja e rrugëtimit të tij biznesor, për të mbuluar shpenzimet e studimeve, e për të qenë sot një nga më të fuqishmit e tregut jo vetëm të Kosovës por edhe më gjerë me veprimtarinë e derivateve të naftës e hotelerinë.

Gjithashtu, ikonike mbetet edhe çajtorja e bacit Brahë me emrin “Besa”, që mblodhi mijëra të rinj në Ferizaj. Baca Brahë dhe gjithë familja e tij, asnjëherë nuk pritën punësimin nga shteti, për të siguruar mirëqenien e tyre. Me punën e tyre, ata janë sot, një ndihmë e madhe e shtetit e mijëra familjeve që kanë të punësuar në bizneset e tij. Me përkrahjen e pakursyer të familjes, themeloi pompën e derivateve “HIB Petrol”, emër që ka brenda përveç nistores së emrit të tij, edhe nistoren e emrit të babait të tij, veprimtarit të dalluar, Hamdi Bucaliu duke u zbërthyer si H-Hamdi – I-Ibrahim – B- Bucaliu, biznes që nisi me 10 punëtorë gjersa sot ka mbi 1500 punëtorë me paga dinjitoze, në 20 pika në gjithë Kosovën.

Përveç jashtëzakonisht i suksesshëm në biznes, Ibrahim Bucaliu dhe mbarë familja e tij dallohet edhe për shpirtin solidar, humanizmin e treguar në mijëra nisma për ndihmë e aksione solidariteti, pa lënë anash edhe faktin se shtëpia e tij u shndërrua në shkollë, duke i shërbyer arsimit shqip, gjatë okupimit serb.

Me një karrierë të jashtëzakonshme biznesore, me shpirtin human që e shquan personalitetin e tij, elegancën e fisnikërinë, ai ia atribuon suksesin familjes të cilën e vlerëson mbi gjithçka dhe shoqërisë së tij të vjetër me të cilat në baza ditore shkëmben idetë, kujtimet e punës së tij të mëparshme dhe të tanishme.