Agim Veliu kërkon llogaridhënie në LDK: Humbjet radhazi janë verdikt i qartë politik
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar ashpër pas humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore të partisë, duke kërkuar reflektim, llogaridhënie dhe ndryshim të menjëhershëm në drejtimin e saj.
Përmes një postimi në facebook, Veliu ka theksuar se humbjet e përsëritura nuk janë rastësi, por përbëjnë një verdikt të qartë politik nga qytetarët. Sipas tij, mungesa e reflektimit pas këtyre rezultateve nuk është më thjesht gabim, por refuzim i hapur i përgjegjësisë, shkruan IndeksOnline.
Ai ka kritikuar ashpër mënyrën e funksionimit të brendshëm të LDK-së, duke vënë në pah mbylljen ndaj kritikës, mungesën e analizës dhe kapjen e vendimmarrjes, të cilat, sipas Veliut, e kanë dëmtuar rëndë partinë dhe e kanë larguar nga misioni i saj politik.
“Një parti që kërkon besimin e qytetarëve nuk mund të sillet sikur humbjet nuk kanë autor. Mbyllja ndaj kritikës, mungesa e analizës dhe kapja e vendimmarrjes e kanë dëmtuar rëndë partinë dhe e kanë larguar shumë nga misioni i saj.Kërkoj publikisht dhe pa ekuivoke: llogaridhënie politike për humbjet, transparencë të plotë mbi vendimmarrjen, e cila mungon kohë të gjatë në LDK,- dhe hapjen e menjëhershme të një procesi demokratik të brendshëm, me garë reale në të gjitha nivelet!Askush nuk është mbi partinë.Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja”, ka shkruar ai.
Veliu ka theksuar se askush nuk është mbi partinë dhe se askush nuk mund të ketë mandat të përhershëm pas humbjeve, duke paralajmëruar se pa reflektim dhe ndryshim, ky drejtim nuk i shërben të ardhmes së Lidhjes Demokratike të Kosovës./IndeksOnline/

