Veliu: Nga java e parë e dhjetorit, do të pajisemi me materialin për letërnjoftime

I pyetur nga deputeti nga radhët e PDK-së, Sejdiu Hoxha, se pse qytetarët edhe më tej nuk mund të pajisen me letërnjoftime edhe pas 3 muajsh që ky proces nuk po realizohet, ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ka njoftuar se që nga java e parë e muajit dhjetor, Kosova do të pajiset me materialin sensitiv nga i cili prodhohen letërnjoftimet.
Veliu ka thënë se ka disa muaj që kanë bërë kërkesë për këtë material dhe se kërkesa u ishte refuzuar disa herë nga Ministria e Financave në mungesë të buxhetit.
Ai ka shtuar se tek në javën e parë të dhjetorit pritet që materiali sensitiv e i cili do kohë sipas Veliut të përpunohet, të vijë në Kosovë.
Nga ana tjetër pyetjes së deputeti Hoxha se pse disa qytetarë me procedura të përshpejtuara e kur duhet të paguajnë më shumë mund të marrin edhe tani letërnjoftim, Veliu tha se janë vetëm rastet urgjente, për shërim e të kësaj natyre që marrin letërnjoftime dhe se nuk ka ndonjë raportim tek ai për diskriminim./IndeksOnline/