75 Mall Live Search
13:52 / E Hënë, 13 Janar 2020 / indeksADMonline

Veliu: S’i kemi shqyrtuar ofertat e Kurtit, sepse ofertat e veçanta s’i shqyrtojmë!

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, pas takimit që patën me ambasadorin amerikan Philipp Kosnett, deklaroi se janë në pritje të një zgjidhjeje nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se kanë biseduar me ambasadorin amerikan rreth aktualitetit, ndërsa shtoi se ashtu sikurse SHBA-ja edhe LDK-ja është e interesuar që vendi të ketë sa më shpejtë një Qeveri funksionale.

“Me ambasadorin kemi biseduar për çështje që janë aktuale, interesimi edhe yni edhe i Ambasadës amerikane është që Kosova të ketë sa më shpejtë Qeveri funksionale. Biseda që ne i kemi si të rregullta në kuadër të bashkëpunimit dhe miqësisë që e kemi me SHBA-në”, tha ai.

Veliu theksoi se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që të ofrojë një zgjidhje në mënyrë që të dyja partitë të formojnë një Qeveri funksionale.

“Ne po presim një zgjidhej nga Vetëvendosje, një zgjidhje e cila është funksionale për të dyja palët derisa të marrim zgjidhjen po presim. Është përgjegjësi e atyre që do të ofrojnë një zgjidhje në këtë situatë të krijuar. Jemi në pritje që për një zgjidhje që është funksionale për një Qeveri që po pretendojmë të bëjmë bashkarisht”, vijoi Veliu.

Në lidhje me ofertën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nënkryetari i LDK-së, deklaroi se ajo nuk është shqyrtuar fare ne organet e partisë.

Ai insistoi se kanë biseduar vetëm për parimet, të cilët duhet të jenë në një qeverisje.

“Nuk po ju them as për ofertën e Kurtit, sepse ofertat e Kurtit s’i kemi shqyrtuar në organet tona. Sepse ofertat e veçanta ne s’i shqyrtojmë. Ne kemi biseduar me LDK-në për parimet të cilat duhet të ketë një qeverisje, po presim një zgjidhje që duhet ta ofrojnë në mënyrë që ta kemi një Qeveri stabile dhe funksionale”, përfundoi Veliu.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbi tre muaj, të cilët janë në bisedime për të formuar Qeverinë e re, por deri tani pa ndonjë rezultat./Indeksonline/.