Agim Veliu raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu pritet që të jetë sot në Kuvendin e Kosovës.
Veliu parashihet të raportojë para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në lidhje me kasafortën me dokumente të klasifikuara shtetërore për të cilën MPB tha se ishte gjetur në gjendje jo të rregullt.
Fjala është për kasafortën në të cilën ruhen dokumentet konfidenciale të ministrit të Punëve të Brendshme që përmbajnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë e shtetit.
Pas pranimit të detyrës së ministrit Agim Veliu, u tha se në kabinetin e këtij të fundit janë gjetur në gjendje të parregullt disa nga dokumentet e klasifikuara me nivelin përkatës të klasifikimit.
Për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme kishte themeluar fillimisht një Komision, i cili ka evidentuar gjendjen e dokumenteve të ndodhura në njërën nga kasafortat e kabinetit.
Mbledhja pritet të nis në ora 10:00./Indeksonline/