75 Mall Live Search
15:56 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / MSH

Agjencia e Forenzikës pranon donacion prej 90 mijë eurosh nga UNDP-ja

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) i dorëzoi Agjencisë së Forenzikës pajisje të specializuara forenzike në vlerë mbi 90 mijë euro në një ceremoni zyrtare të mbajtur në selinë e Agjencisë në Prishtinë.

Donacioni përfshin një sistem të avancuar ToolScan, i krijuar për të forcuar kapacitetet e Agjencisë në ekzaminimin e armëve të zjarrit. Pas dorëzimit, pjesëmarrësit vizituan Divizionin e Balistikës, ku ekspertët forenzikë demonstruan pajisjet e reja, përfshirë Borescope, Mikroskopë Stereo dhe sistemin TriggerScan, duke theksuar rëndësinë e tyre në përmirësimin e saktësisë dhe efikasitetit të analizave balistike.

Pajisjet e reja shënojnë një përparim të rëndësishëm në aftësitë analitike të Agjencisë. Sistemi ToolScan u mundëson ekspertëve të kryejnë analiza më të sakta dhe më efikase të provave balistike, duke kontribuar në identifikimin më të shpejtë të armëve të zjarrit, përmirësimin e lidhjeve ndërmjet rasteve dhe sigurimin e provave më të forta në proceset gjyqësore.

“Pajisjet e dorëzuara sot përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në rritjen e aftësisë së Agjencisë së Forenzikës për të ofruar ekspertizë të pavarur dhe të bazuar në shkencë, thelbësore për drejtësinë, sigurinë e komunitetit dhe parandalimin e dhunës me armë,” tha Dudley Tarlton, zëvendës-përfaqësues i përhershëm i UNDP-së.

Shemsi Duqiri, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Forenzikës, shprehu mirënjohje për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të UNDP-së, duke theksuar rëndësinë e mjeteve moderne forenzike në forcimin e cilësisë dhe besueshmërisë së shërbimeve forenzike.

Ceremonia u ndoq nga përfaqësues të Ambasadave të Gjermanisë, Holandës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian, duke riafirmuar angazhimin ndërkombëtar për përmirësimin e sigurisë publike dhe harmonizimin e praktikave vendore me standardet rajonale dhe globale për kontrollin e armëve.

Dorëzimi është pjesë e Programit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të UNDP-së, i financuar nga qeveritë e Gjermanisë, Suedisë, Holandës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Kjo nismë kontribuon në zbatimin e Udhërrëfyesit Rajonal për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALW) 2025–2030, i cili synon të zvogëlojë rreziqet që lidhen me përhapjen e armëve të vogla dhe të promovojë bashkëpunimin rajonal për siguri.

UNDP dhe Agjencia e Forenzikës gëzojnë një partneritet afatgjatë të përqendruar në aftësimin institucional, modernizimin e infrastrukturës dhe ngritjen e ekspertizës profesionale. Përmes këtij bashkëpunimi, ne vazhdojmë të punojmë drejt një mjedisi më të sigurt për të gjithë.