16:46 / E Mërkurë, 21 Gusht 2019 / indeksADMonline

Agjencia e Ushqimit asgjëson 21 tonë mish në depon e Bashkësisë Islame

21 tonë mish që mbahej në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës, që ndodhet në Veternik të Prishtinës, është asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë, pasi që ka qenë mish i prishur e nuk guxon të konsumohet. AUV-i ka konstatuar se në depon e BIK-ut nuk ka pasur kapacitet për ftohje dhe se ngrirja nuk është bërë me kohë.

Se mishi në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës mbahej në gjendje të tmerrshme kjo dihej gjithandej.

Kjo Agjenci ka konstatuar se mishi nuk guxon të përdoret për konsum pasi që nuk ka qenë i ngrirë me kohë, e për çka edhe është prishur.

“Inspektorët Veterinarë të Agjencisë se ushqimit dhe Veterinarisë menjëherë kanë realizuar kontrollin e depos. Aty kanë hasu në një sasi prej 21 tonë mish lloji i gjedhit. Pas inspektimit të detajuar, inspektorët kanë vlerësuar se fillimisht mishi i deponuar aty nuk është ngrirë me kohë”.

“Kapaciteti ftohës i depos nuk ka arritur të ngrijë mishin në temperaturën e nevojshme ruajtëse dhe si pasoj ka ardhë deri tek, kontaminimi apo prishja e mishit.  Nga kontrolli fizik dhe organoleptik është konstatuar se mishi ka filluar të ndërroj ngjyrë, disa nga paketimet kanë pasur rrjedhje gjaku, qe dëshmon se mishi është shkrirë e ri ngrirë dhe ka filluar të kundërmojë erë (ka filluar procesi i putrifikimit)”, tha zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Sipas Thaçit, bazuar në këto të gjetura është vendosur asgjësimi i sasisë prej 21 tonësh.

“Bazuar në ligjet në fuqi dhe procedurave standarde të kontrollit, bazuar në të gjeturat e lartcekura, inspektoret kanë vendosur që të bëhet asgjësimi i gjithë sasisë prej 21 tonësh për shkak sepse nuk i plotëson kushtet për konsum”, tha Thaçi.

Sipas tij, Bashkësia Islame ka krijuar kushtet për asgjësim sipas vendimit të Inspektorëve.

“Asgjësimi ka filluar sot dhe është duke u kryer nga kompania e pastrimit të mbeturinave, në deponinë të mbeturinave në Obiliq nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, tha ai