AGK: Autorët e krimeve ndaj gazetarëve duhen të dalin para drejtësisë dhe të dënohen
Më 2 nëntor shënohet dita ndërkombëtare për eliminimin e mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve përmes së cilës bëhet fushatë globale dhe kërkohet nga institucionet shtetërore që të parandalojnë dhunën ndaj gazetarëve.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar që të ndëshkohen të gjithë ata që kërcënojnë dhe sulmojnë gazetarët në Kosovë, njofton Klan Kosova.
“AGK ka theksuar në vazhdimësi se autorët e krimeve duhen të sillen gjithmonë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve inkurajon të tjerët që të sulmojnë fizikisht dhe kërcënojnë gazetarët”.
AGK rithekson se institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë duhen të tregohen më efikase në trajtimin e rasteve të sulmeve, kërcënimeve, frikësimeve dhe presioneve ndaj gazetarëve dhe punëtorëve medialë.
Në këtë ditë, AGK po ashtu përkujton vrasjen dhe zhdukjen e gazetarëve në Kosovë për të cilat raste asnjë kryerës i veprave kriminale nuk është sjellë para drejtësisë.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 2 nëntorin ditën ndërkombëtare për përfundimin e mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve duke iu bërë thirrje shteteve anëtare që të zbatojnë masa që të luftojnë kulturën aktuale të mosndëshkimit.