AGK-ja kërkon zgjidhje për pagat e punëtorëve të RTK-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përkrahur të gjithë punëtorët e RTK-së, të cilët po kërkojnë pagat.
Përmes një deklarate zyrtare, AGK-ja thotë se shpreson që do të ketë hapësirë për funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që komisioni përkatës të miratojë ndarjen buxhetore për RTK-në.
“Nëse kjo nuk ndodh, Qeveria në detyrë e Kosovës duhet të eksplorojë të gjitha mundësitë për të bërë, në mënyrë urgjente, një alokim të ngjashëm si ai i korrikut”, deklaroi AGK-ja.
Ky është reagimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) qëndron në përkrahje të plotë me gazetarët, redaktorët, kameramanët, montazherët dhe gjithë stafin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), para protestës të së enjtes.
AGK-ja shpreh solidaritet me punonjësit e RTK-së, të cilët sërish, brenda pak muajsh, po kërkojnë pagat që u takojnë sipas kontratave të tyre, për punën e kryer.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreson se do të ketë hapësirë për funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që komisioni përkatës ta miratojë ndarjen buxhetore për RTK-në. Nëse kjo nuk ndodh, Qeveria në detyrë e Kosovës duhet të eksplorojë të gjitha mundësitë për të bërë, në mënyrë urgjente, një alokim të ngjashëm si ai i korrikut.
RTK-ja është përballur tash e disa vjet me presion të vazhdueshëm politik nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pasiguria për pagat përbën një presion shtesë financiar.
AGK-ja angazhohet që anëtarët e saj në RTK dhe të gjithë punonjësit e tjerë aty të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje e pengesa, dhe në interes të publikut.
AGK-ja bën thirrje që një qeveri dhe një kuvend i ri të miratojnë pa vonesa një ligj të ri për RTK-në, i cili i siguron Transmetuesit Publik pavarësinë e plotë të veprimit, duke i mundësuar gjithashtu një shtëpi të përhershme për zhvillimin e punës.

