14:26 / E Hënë, 17 Qershor 2019 / indeksADMonline

AGK: Pengimi i kameramanit të KosovaPress-it shkelje e lirisë së shtypit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas pengimit që iu bë kameramanit të KosovaPress-it, Enis Misimi i cili së bashku me gazetaren Shqipe Pajaziti ishte në përcjellje të Kuvendit zgjedhor të nëndegës së LDK-së në lagjen Mati.

AGK u ka bërë thirrje të gjitha partive dhe institucioneve që të mos e cenojnë punën e gazetarëve dhe punonjëseve medial.

“Pengimi i qasjes në informacion është shkelje e lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për të qenë objektivisht të informuar”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Reagimi i plotë

REAGIM: GAZETARËT TË MOS PENGOHEN NË PUNËN E TYRE

17.07.2019,Prishtinë- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet e ngjarjes së ditës së djeshme (16.06.2019) ku kameramani i KosovaPress-it Enis Misimi teksa po xhironte mbajtjen e kuvendit zgjedhor të nëndegës së LDK-së në lagjen Mati, është penguar në punën e tij nga disa persona të cilët i kanë kapur kamerën me dorë duke mos e lejuar vazhdimin e xhirimit.

Ndërkohë gazetarja e “KosovaPress”që ishte pjesë e ekipit Shqipe Pajaziti, ka treguar për AGK-në se si këta persona i kanë kërkuar të dijnë se kush u ka dhënë leje që ta xhirojnë ngjarjen.

AGK u bënë thirrje të gjitha partive, institucioneve a çfarëdo grupi tjetër të interesit të mos e cenojnë punën e gazetarëve dhe punonjësve medialë. Pengimi i qasjes në informacion është shkelje e lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për të qenë objektivisht të informuar.

AGK inkurajon të gjithë kolegët që të mos ndalen së kryeri me profesionalizëm dhe me etikë profesionin tonë.