75 Mall Live Search
16:00 / E Hënë, 21 Janar 2019 / indeksADMonline

Agron Shala, motivet e tij dhe vështirësitë e të qenurit aktor në Kosovë

Pavarësisht mundësive dhe kushteve nëpër të cilat arti dhe kultura zhvillohet në vendin tonë, asnjëherë s’kanë munguar sukseset dhe trofetë që artistët tanë i sollën Kosovës, duke prezantuar shtetin tonë në çdo vend dhe duke na bërë krenarë me arritjet e tyre.

Javën që kaloi, aktori kosovar, Agron Shala u shpërblye me çmimin si aktori më i mirë në filmin e metrazhit të shkurtë në festivalin prestigjioz Cineuphoria Film Awards.

Shala për Indeksonline thotë se ky çmim vjen si motiv për të vazhduar rrugëtimin në një profesion të ndjeshëm siç është aktrimi.

“Kam bindjen se motivimi vjen edhe nga një fjalë e mirë, duartrokitje pse jo edhe nga kritika, e lëre më kur të vije ndonjë çmim, e sidomos nga ndonjë festival prestigjioz si festivali në fjalë. Edhe pse jemi të vetëdijshëm në punën që bëjmë, çmimi e konfirmon atë vetbesim që është përvetësuar nga puna, edhe pse ndonjëherë ka luhatje apo dilema në atë rrugëtim shumë të vështirë. Pra, është motivim për me vazhdu rrugëtimin në këtë profesion kaq të ndjeshëm.

Çmimi i Shalës vjen për rolin e tij në filmin ‘Forgive Me’ të regjisorit, Besim Ugzmajli. Një karakter tejet i ndjeshëm për të cilën ai thotë se e ka gjetur jashtëzakonisht shumë vetën, si në skenar ashtu edhe gjatë realizimit të filmit.

“Agroni, është i pari personazh që e interpretoj me emrin Agron. Nuk e di pse ka ardhë kështu, por për çudi nuk më pengoj, por mund të them që më ndihmoj, edhe pse ndonjëherë në ndërdijen time më sillej mendimi pse nuk ia ndërruam emrin. Agroni, pra roli apo personazhi të cilin e interpretoj unë, është vëllai i madh, ndërsa Bujari vëllai i vogël. Papritmas Agroni ballafaqohet me një situatë përmes një telefonate nga Bujari ku kuptuam që ai kishte shkuar në Siri dhe kërkon të ia dërgojë gruan atje. Me nënën e sëmurë, në shtëpi dhe përpjekjet e pareshtura për ta kthyer vëllain në shtëpi, ballafaqohet edhe me humbjen e vëllait. ”, tregon aktori rreth rolit.

Sa i përket zhvillimit të kinematografisë në vendin tonë, aktori shprehet se kanë arritur deri diku të vazhdojnë rrugëtimin e kineastëve të mëparshëm, ku për dallim nga filmi i metrazhit të shkurtë, ai i gjatë has në vështirësi të realizimit për shkak të buxhetit. Gjë kjo që vështirëson edhe jetën artistike të shumë aktorëve.

“Ka shumë aktorë që largohen nga ky profesion, jo pse ata nuk janë aktorë të mirë, por për shkak të mundësive të cunguara për ta realizuar veten. Kjo ndodhë gjithandej, edhe jashtë vendit tonë, por tek ne edhe më shumë. Për ta shprehur vetën apo realizuar, aktori duhet të kalojë nëpër filma e shfaqje brenda një viti, kur dihet sa punohet te ne, atëherë të jep me kuptu se mundësitë janë shumë të vështira”.

Derisa aktori Shala po shijon suksesin që i dha roli në filmin “Forgive Me” ai po vazhdon të jetë aktiv në skenën teatrore përmes disa shfaqjeve si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë.

“Tani kam përfunduar xhirimet e një filmi të metrazhit të gjatë në Shqipëri, njëkohësisht kam punuar një shfaqje atje në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahi Vogli”, dramën “Kreolet e Ballkanit”, në regji dhe autorësi të Enver Petrovcit dhe janë edhe disa repriza që do të shfaqen.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës kam dy shfaqje në repertuar “Njeriu që mungonte” me regji të Isa Qosjes dhe autorësi të Zymber Kelmendit dhe shfaqjen “Hamleti simbas Horacit” me regji të Ilirjan Himajt e autorësi të Ag Apollonit./Indeksonline/