75 Mall Live Search
13:08 / E Shtunë, 22 Maj 2021 / B O

Agron Shehaj kandidon për kryetar të PD-së

Deputeti më i votuar pas Lulzim Bashës në Partinë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, Agron Shehaj shpall kandidaturën për kryetar të kësaj force politike. Në postimin e shpërndarë në rrjetet sociale, ai shprehet se Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese dhe për Partinë Demokratike.

“Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike! Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë. Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri”.

Duke e konsideruar kandidimin për kryetar të PD-së, jo si një garë për post, por si përpjekje për parti të vërtetë demokratike, Shehaj thekson se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.

“Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.

Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime”.

Ai sqaron se ka hyrë në politikë për të punuar për njerëzit dhe jo për t’u pasuruar, ndërsa premton se nuk do të zhgënjejë.

“Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej”.

Agron Shehaj ishte deputeti i dytë më i votuar në radhët e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, ku u rendit pas kreut aktual demokrat me 13862 vota.

Shehaj është kandidatura e fundit në zgjedhjet e 13 qershorit për kreun e Partisë Demokratike, pas shpalljes së kandidaturave të Lulzim Bashës, Edith Harxhit, Fatbardh Kadillit dhe Ibsen Elezit.