Ahmeti falënderon Haradinajn për përkrahjen ndaj komunës, përkundër kundërshtimeve partiake
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti pas takimit me të parin e Qeverisë, Ramush Haradinaj ka treguar për temat që kanë diskutuar.
Sipas tij, ata kanë diskutuar për të gjitha temat dhe detyrat e përbashkëta që duhet të kryhen dhe kanë arritur një marrëveshje për bashkëpunim.
Po i afrohemi fundit të vitit sot jemi takuar për të parë një bilanc dhe për të parë punët që na kanë mbetur.
Diskutuam për Ligjin për Prishtinë, që kemi filluar të implementojmë një pjesë të saj, na ka mbetur një punë e përbashkët për vitin e ardhshëm për spitalin e përgjithshëm dhe policinë.
Diskutuam për Pallatin e Rinisë, këtë javë do e regjistrojmë si ndërmarrje publike komunale. Në fillim telashin më të madh po e kemi me kreditorët që pallati i ka borxh, që ka vlerën mbi 3 milionë euro. Diskutuam edhe për sallën koncertale dhe objektin e Gërmisë, ku komuna e Prishtinës javën e kaluar ka marrë vendimin për shpronësimin final kjo i hap rrugë që ky lokacion të konsiderohet për sallën koncentrale, duke ruajtur në bazë të vlerësimet të ekspertëve të çfarë do vlerë të trashëgimisë që e shohim të vlefshëm për Prishtinën. Diskutuam edhe për unazën e Prishtinës, që do të fillojë puna për azhurnimin dhe folëm edhe për borxhet e Qeverisë karshi Komunës në të kaluarën dhe disa projekte të tjera. Edhe pse ne jemi kryetar të dy partive të ndryshme politik dhe edhe pse mund të kemi kundërshtime të mëdha në këtë aspekt, unë falënderoj Qeverinë për gatishmërinë që ka dhënë për të ndihmuar kryeqytetin dhe shpresoj që ky bashkëpunim dhe koordinim të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Ahmeti./Indeksonline/