15:19 / E Martë, 04 Gusht 2020 / indeksADMonline

Ahmeti i reagon MASHT-it për çerdhe: Komuna nuk mund të jetë edhe qeveri edhe IKSHPK edhe Ministri!

Ministria e Arsimit ka sqaruar çështjen e çerdheve private, me anë të një komunikate sot gjatë ditës, duke konsideruar se është kompetencë e autoriteteve komunale që të lëshojnë vërtetimin mbi plotësimin e kushteve higjienike- sanitare.

I pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se ata do t’i ndihmojnë dhe nuk do t’i ikin përgjegjësisë.

“Ne do të ndihmojmë dhe nuk do i ikim përgjegjësisë, por nëqoftëse ndodhë diçka në ndonjë çerdhe (përhapje e virusit) nuk do të jetë për shkak të mungesës së pëlqimit sanitar por për shkak të mungesës së informatës, mbikqyrjes së rregullt, dhe mungesës së udhëzimeve e inspektimit nga agjencionet që e kanë atë detyrë. Komuna nuk mund të jetë edhe qeveri edhe IKSHPK edhe ministri e edhe komunë në të njejtën kohë”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për IndeksOnline.

Tutje, Ahmeti thotë se kjo nuk është vërtetim për kushtet higjienike sanitare por gjendje e epidemisë me gjendje të emergjencës të shpallur vet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

 “Në kohë pandemie IKSHP është ajo që jep rekomandime dhe na tregon të gjithëve se çka duhet të bëjmë. Kjo nuk bëhet nga komunat e as me pëlqime sanitare”, vlerëson ai.

Ahmeti përmend faktin se pëlqimet sanitare lëshohen vetëm njëherë kur regjistrohen si biznese.

“Pëlqimet sanitare lëshohen vetëm njëherë kur regjistrohen si biznese. Këto pëlqime lëshohen edhe për kafiteri, por për shembull për kafiteri nuk i është dhënë kompetenca komunave se a të punojnë a jo dhe cilat janë kushtet për kafiteri individuale”, shtoi ai.

Sipas tij përgjegjësia në kohë pandemie nuk mund të shkarkohet te dikush tjetër vetëm pse nuk ka politikë nga ana e qeverise se çka bëhet.

“Presione do të ketë gjithmonë nga grupet e interesit, por ata që e kanë kompetencën dhe që janë institucion për këtë punë duhet të mbajnë përgjegjësinë”, konsideron ai. /IndeksOnline/