Ahmeti i reagon Vuçiqit për Trepçën: Mendimet tua nuk kanë peshë juridike, po humbet kohë
I pari i Prishtinës, njëherësh bashkëkryesues i delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti i është kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili sot përmendi Trepçën, si kusht tjetër për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ahmeti ka thënë se Vuçiq dhe të gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale, transmeton Indeksonline.
Tutje Ahmeti shtoi se Vuçiq mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por se mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe jurdiike.
Ahmeti tha se Vuçiq është duke humbur kohë, pasi Kosova është e gatshme të dialogojë dhe se është vendim i Serbisë së si do të përgatitet për këtë dialog.
Postimi i plotë:
Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”!
Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë : Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale. Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës.
Kosova është e gatshme të dialogojë. Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën). Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit. Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë.