Ahmeti: Kur ishte në pyetje krediti për taksë, nuk i nxinte kamera, kur erdhi presioni amerikan, nuk i nxen dera
Bashkë-kryesuesi i ekipit negociator si dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti ka deklaruar se kishte marrë një telefonatë nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj para se të vendosej për taksën 100%.
Ai ka shtuar se përgjatë kësaj telefonate Haradinaj tregoi se dëshiron të vendosë taksën , por që kjo e largon Listën Serbe, duke e pyetur tutje Ahmetin nëse do ta mbështesë në taksë që të mos bie qeveria, në rast se largohet Lista Serbe.
Ahmeti me këtë rast është përgjigjur se do ta mbështesë dhe se sot mendon që taksa është pak karshi politikave të Serbisë, transmeton Indeksonline.
Tutje Ahmeti ka shtuar se dashakëqijtë e shtrembërojnë deklaratën e tij dhe se për taksën është bashkë me Haradinajn. I pari i PSD-së, tha gjithashtu se interesat shtetëror nuk janë pronë e askujt, janë përgjegjësi e përbashkët dhe se përfituesit ditor mundohen të gënjejnë .
Postimi i plotë:
Para vendimit për taksen më ka telefonuar kryeministri Ramush Haradinaj. Më ka tregu që don me e vendos taksën dhe më ka thënë që kjo e largon Listen Serbe. Pyetja ishte “në qoftë se largohet lista serbe, a më mbështet në taksë që mos me ra qeveria”. I kemi thënë po!
Edhe sot mendoj që taksa është pak karshi politikave të Serbisë! dashakëqinjtë e shtrembërojnë deklaraten time! Unë i kam thënë kryeministrit, për taksen jemi bashkë! Në qoftë se vendosim bashkë me e mbajt, e ndajmë presionin! Në qoftë se vendosim bashkë me e pezullu përkohësisht për ti dhënë rast dialogut, e ndajmë kritikën publike bashkë!
Kur ishte në pyetje me e marr kreditin për taksë, nuk i nxinte kamera. Kur erdhi presioni amerikan, nuk i nxen dera. Ne jemi këtu edhe në të mirë, edhe në të keq.
Interesat shtetëror nuk janë pronë e askujt, janë përgjegjësi e përbashkët. Përfituesit ditor mundohen me rrejt e shpif. Interesi i shtetit mbetet sybim i përhershëm që mbijeton!