14:34 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ahmeti: LDK u ankua edhe në qershor, por PZAP e refuzoi rinumërimin – ja pse (Video)

Shpend Ahmeti, kryetari aktual i Prishtinës ka folur në një konferencë për media rreth vendimit të KQZ-së për rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren, në të gjitha vendvotimet.
Këtë, Ahmeti e ka quajtur të paranueshme meqë sipas tij duhet të pritet numërimi edhe i votave me kusht, si dhe atyre të diasporës. Tek atëherë, thotë Ahmeti, mund të merren parasysh ankesat dhe nëse ekziston arsye, të bëhet rinumërimi.

“Nuk e di si e cilësojnë rezultatin e ngushtë kur ai nuk ka përfunduar, 1 mijë e 639 vota me kusht, as votat e diasporës, s`janë dalë rezultatet nga QNR-ja. është rasti i parë në Kosovë por edhe gjithkund tjetër që të merret për bazë një ankesë bazuar në rezultatin e ngushtë pa përfunduar numërimi. Pastaj thuhet se për shkak të mospërputhjeve të shumta. Cilat janë ato? Nuk ka as edhe një ankesë të vetme sa i përket rezultateve të publikuara, pra pa ato me kusht. 9 persona kanë qenë në çdo sallë. Nuk ka arsye pse të merret ky vendim. Asnjë deklaratë nga asnjë vëzhgues nuk ka. Nëse e gjeni vetëm një, do e shikonim si mund të merret ky vendim”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.

Ahmeti ka kujtuar një ankesë të LDK-së në zgjedhjet e qershorit, në një qendër votimi në Kosovë, ku kishte kërkuar rinumërim.

Atëherë PZAP kishte thënë se nuk mund të bëhet rinumërimi pa i pasur rezultatet e QNR-së sepse nuk dihet për çka është bërë ankesa.

Lidhur me këtë, Ahmeti ka bërë thirrje që QNR-ja të vazhdojë rinumërimin e të gjitha votave fillimisht, e pastaj të shkohet me procedurat tjera në rast se ka ankesa.

“është e çuditshme se si në dy komunat ku ka fituar Vetëvendosje urdhërohet rinumërim i tërësishëm i komunave. Kërkojmë nga QNR-ja të vazhdohet numërimi i votave nga diaspora dhe atyre me kusht. Nëse pas numërimit ka ankesa dhe vlerësohet se duhet rinumërimi, le të veprojnë organet. Por, secili vendim tjetër është i papranueshëm për neve”, ka thënë Ahmeti.