75 Mall Live Search
08:14 / E Martë, 02 Dhjetor 2025 / AR

Ahmeti: Ligji i miratuar nga Qeveria Kurti e përcakton qartë – diaspora mund të votojë vetëm në ambasada e konsullata

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas tentativës së Lëvizjes Vetëvendosje për të mundësuar që diaspora të votojë edhe jashtë ambasadave dhe konsullatave – kërkesë e cila u refuzua nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Në një postim në Facebook, Ahmeti tha se e drejta e votës për diasporën është e padiskutueshme, por mënyra e organizimit të votimit është e përcaktuar qartë në ligjin që është miratuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

“E drejta e votës është e garantuar për çdo shtetas të Republikës së Kosovës të moshës madhore – kudo që jeton. E drejta ndryshon nga mundësia që përcaktohet edhe nga kredibiliteti i procesit”, shkroi Ahmeti.

Ai theksoi se qëllimi i çdo rregullimi zgjedhor është të sigurojë një proces të besueshëm dhe të menaxhuar mirë.

“Askush s’mundet me ma mohu të drejtën e votës, por është në interesin e secilit që vota ime apo e juaja të shkojë aty ku e keni pas njet,” tha ai, duke shtuar se votimi në pika të organizuara me komisionerë, vëzhgues dhe procedura të qarta garanton integritetin e procesit.

Ahmeti kujtoi se Kuvendi gjatë qeverisë Kurti ka miratuar ligjin që mundëson votimin fizik të diasporës në ambasada dhe konsullata – për ta lehtësuar procesin, por edhe për ta bërë atë më të sigurt.

“Me këtë ligj po hyjmë në këtë zgjedhje dhe s’ka mundësi ndryshimi – NUK KA. Për zgjedhjet tjera mund të bëjmë diskutim e ndryshime,” shkroi ai.

Sipas Ahmetit, të gjitha diskutimet e partive për “dashurinë ndaj diasporës” janë thjesht pjesë e fushatës elektorale.

“Çfarëdo diskutimi se kush e don ma shumë diasporën është veç fushatë dhe s’ka kurrfarë baze në mundësi ligjore e në dashni,” ka theksuar ai.

Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të flasin për mënyrën se si do të qeverisin pas zgjedhjeve dhe si do t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve, përfshirë diasporën.

“E tash – a po tregoni se si keni me formu qeveri e si keni me përmirësu jetën qytetarëve? Shumë e dhimbshme në çka po synohet me fitu vota,” shkroi Ahmeti.