13:01 / E Hënë, 13 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ahmeti me plan për zgjidhjen e problemit të parkingjeve në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti shpjegoi sot mënyrën se si do të zgjidhet problemi i parkingjeve në kryeqytet brenda mandatit të ardhshëm. Ai foli konkretisht për parkingun nëntokësor afër Fakultetit Filologjik, parkingjet e lagjeve dhe parkingjet në hapësira publike, të cilat do të kenë kapacitet për parkimin e mijëra veturave brenda qytetit.

–       Parkingjet e lagjeve – çdo banor i lagjes do të ketë çmim simbolik për veturën e parë, ndërsa për veturën e dyte e tutje do të paguajë çmim më të lartë. Banorëve do t’iu mundësohet “vinjeta” mujore dhe vjetore, dhe kështu do të sigurohemi që kufizimet që të mos aplikohen kufizimet në orare për banorë. Këto parkingje do të jenë të hapura edhe për vizitorë, të cilët do të paguajnë çmim të caktuar për orë qëndrimi. Ky model do të fillojë të aplikohet në pjesën e parë të vitit 2018.

–       Parkingjet në hapësira publike – do të jenë me pagesë dhe me kufizime kohore. Zona 1 (në qendër) do të ketë kufizim kohor 2 orësh për parking, dhe çmim më të lartë të pagesës; Zona 2 (në lagjet e mëdha) do të ketë kufizim kohor 3 orësh për parking, me çmim më të lirë. Janë bërë gati kontratat me telefonitë mobile, ashtu që pagesat të kryhen për sms-ve.

–       Parkingu nëntokësor – do të ndërtohet tek Fakulteti Filologjik, me kapacitet për parkimin e deri 900 makinave. Ky parking do të ndërtohet për 24 muaj, dhe kompania që do ta bëjë ndërtimin obligohet që mbi të ta ndërtojë Parkun Qendror të Qytetit. Kështu do të mundësohet edhe krijimi i zonës së këmbësorëve që do të lidhet me sheshin kryesor të qytetit.

Të gjitha këto hapësira të parkingut, do të menaxhohen nga Ndërmarrja Publike Komunale “Prishtina Parking”.