Ahmeti: Mos ta lëmë Haradinajn vetëm në çështjen e taksës, të bëhemi krejt bashkë
Pas takimit të ekipit negociator me krerët e shtetit, Shpend Ahmeti ka thënë se në takim nuk kishte mospajtime për përmbajtjen e draft-rezolutës për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka theksuar se në takim u diskutua edhe për letrën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërguan dje krerëve të shtetit të Kosovës, raporton Indeksonline.
“Sot i kemi edhe disa diskutime dhe pres të premten ta dorëzojmë. Nuk pat qëndrim për mospajtime apo diçka e tillë. Më shumë ishte njoftim i kryetarit të kuvendit që deshi të marr konfirmimin nga të gjithë se a e kanë parë letrën e SHBA-ve. Nuk ka lëvizje të qëndrimeve sa i përket përfaqësuesve se çka mendojë. Num mendoj se kanë ndryshuar diçka as kryeministri e të tjerët”, ka thënë tutje Ahmeti.
Po ashtu, Ahmeti ka bërë të ditur se sot në ora 13:00 do të mbahet takimi i rregullt i radhës së ekipit negociator, pas atij të mbrëmshmit që zgjati katër orë dhe në të u diskutua për cdo pjesë të draftit.
“Sot do të takohemi prapë dhe e shohim se a është verzioni me të cilin jemi të kënaqur. Nuk do ta dorëzojmë pa e finalizuar tekstin fjalë për fjalë, sepse e dimë se jo vetëm në kuvend por do të lexohet nga të gjitha palët, përfshirë edhe ndërkombëtarët dhe Serbia. Në plaftormë e as në takim nuk përfshihet çështja e ndryshimit të kufijve”, ka theksuar Ahmeti.
Ai shtoi se në takim u ka thënë të tjerëve që të gjithë duhet të kenë një qëndrim unik si shtet sa i përket taksës.
“Unë kam kërkuar që mos ta lëmë njëri tjetrin të vetëm në këto tema, nuk mund ta lëmë vetëm kryeministrin në këtë çështje (taksë), sepse presioni po shkon drejt te ai. Nëse marrim vendim bashkë ta mbajmë taksën të bëhemi të gjithë, e nëse vendosim ta heqim, të bëhemi të gjithë bashkë. Unë mbetem i bindur se kjo nuk rrezikon marrëdhëniet tona me SHBA-të”, ka përfunduar Ahmeti. /Indeksonline/