75 Mall Live Search
11:52 / E Premte, 15 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Ahmeti: Në dialog do të kërkohen dëmshpërblimet e luftës

Dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate dhe Shpend Ahmeti nga Partia Socialdemokrate, i kanë dorëzuar sot kryeparlamentarit platformën finale për dialog.

Ata pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, në të cilën kanë dhënë detaje për platformën, të cilën shpresojnë se do të votohet në Kuvend, raporton Indeksonline.

Shpend Ahmeti nga PSD-ja tha se me sot po u jepet fund spekulimeve se cka përmban platforma në fjalë si dhe a ka rrezik për territorin e Kosovës.

“Mendoj se e kemi bërë të qartë se cili është qëndrimi zyrtar i ekipi nëse aprovohet nga kuvendi karshi fazës përfundimtare të dialogut. Kryetari Veseli i përmendi disa gjëra, unë po i përmendi disa gjëra të rëndësishme; platforma bazohet plotësisht në kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe është obligim i të gjitha organeve që atë kushtetutë ta mbrojnë, nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë, përveç atij qendror dhe lokal, në platformë thuhet se resurset që janë në Kosovë janë e drejtë ekskluzive e Kosovës dhe kanë të drejtë ti shfrytëzojnë ato”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, ekipi negociator nuk do të marrë pjesë në takimet që mbahen mes dy palëve në Bruksel, nëse përfundimi nuk është ai që e duan të gjithë.

“Këtë dialog po e quajmë dialog për njohje, që është edhe parimi i dialogut. Nuk shkojmë në dialog nëse mendojmë se nuk përfundon me njohje, nëse në fund të procesit nuk ka njohje, atëherë asnjë pikë në marrëveshje s’do të jetë e vlefshme për neve në fund”, ka shtuar Ahmeti.

Ai ka bërë të ditur se në dialog do të kërkohen dëmshpërblimet e luftës për grupet, për individët, për viktimat e luftës, reparacionet, subvencionet, asetet, duke përfunduar kështu një herë e përgjithmonë cështjet e hapura me Serbinë.

“Në një mënyrë ne do të përfundojmë cështjet e hapura që i kemi me Serbinë, që do të rezultojë me njohje dhe anëtarësim në të gjitha organizatat si OKB, e ne duam të jemi edhe pjesë e BE. Synojmë me dialog të përfundojmë një herë e përgjithmonë këtë poçes, të mbyllim çështjet e hapura por mos të cenojmë pavarësinë tonë asnjëherë. Nuk ka shtet në Evropë që ka më shumë të drejta të shkruara për minoritetet se që ka Kosova. Ajo që vlen për serbët në Kosovë, duhet të vlej për shqiptarët në Serbi”, ka përfunduar Ahmeti. /Indeksonline/