Ahmeti pas takimit me Zemajn: Situatën e kemi nën kontroll, në Prishtinë janë 400 raste aktive

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është deklaruar në konferencën për medie, pas takimit që ka zhvilluar me Ministrinë e Shëndetësisë, Armend Zemaj, e me të cilin kanë folur në lidhje me situatën aktuale në lidhje me pandeminë Covid-19, transmeton IndeksOnline.
Ahmeti, theksoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet qendrore, përkatësisht me MSh-në për çdo gjë që paraqitet në lidhje me Covid-19. Sipas rritjet e rasteve me të infektuar nga ky virus kanë qenë të pritshme dhe se aktualisht situatën e kanë nën kontroll.
“Pas vendimit të Qeverisë prej fundit apo mesit të majit, ne kemi pritur që numri i të infektuarve me Covid-19 të jetë më i lart. Kemi diskutu se si të sigurohemi që numrat të mbahen nën kontroll që institucionet shëndetësore të mos ngarkohen nga rastet e shumta të pacientëve. Ne si komunë vazhdojmë t’i kryejmë detyrat tona dhe do të vazhdojmë të respektojmë vendimet që vijnë nga MSH-ja”, tha Ahmeti.
Ai tutje ka thënë se si komunë do të vazhdojnë të monitorojnë të gjitha rastet aktive që janë në Prishtinë, duke thënë se aktualisht janë afro 400 raste aktive me të prekur nga Covid-19.
“Se si duhet vepruar në të ardhmen, puna jonë si komunë vazhdon edhe pastaj nga rastet i kontaktojmë edhe pacientët, si janë a kanë nevojë për diçka. Diku i kemi 400 raste aktive në kryeqytet, monitorimi bëhet normalisht më i vëllimshëm dhe më i vështirë, deri sot jemi në gjendje ta kemi situatën nën kontroll sa i përket monitorimit”, theksoi Ahmeti.