Ahmeti, për trafikun urban: Nuk mundesh me liru nga pagesa në fushatë, e pas tri ditëve me mbetë pa para
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me debatet rreth funksionimit të Trafikut Urban dhe mënyrës së financimit të tij.
Përmes një postimi në facebook, Ahmeti ka shpjeguar modelin financiar që, sipas tij, është ndërtuar gjatë kohës sa ai drejtonte komunën, shkruan IndeksOnline.
Ahmeti theksoi se për të siguruar kreditë për 51 autobusët e rinj, Trafiku Urban duhej të garantonte të hyra të mjaftueshme për kthimin e kredisë.
Ai u shpreh se transporti publik nuk duhet parë si biznes fitimprurës, por si shërbim publik, ndaj komuna ka pasur obligim ta subvencionojë për çdo kilometër të operuar.
Postimi i plotë:
Modeli i Trafikut Urban që e kemi ndërtuar është ky
1. Për të siguruar kredi për 51 autobusë, Trafiku Urban duhej siguruar që ka të hyra për ta kthyer kredinë.
2. Transporti publik është interes publik. Linja për fshatrat e Gollakut psh mund të mos ketë kuptim dhe fitim financiar por ka kuptim të interesit publik.
3. Prandaj kemi vendosur që komuna të paguaj Trafikun Urban si shërbim për kilometër të autobusit. Aty ku Trafiku Urban nuk ka interes financiar, komuna ka interes publik. Kësisoji, pa marr parasysh numrin e udhëtarëve, ka të hyra për të paguar kredinë.
4. Modeli financiar që e kam ndërtuar me konsulentin anglez personalisht
Kostoja e kilometrit ka përfshirë shpenzimet e Trafikut Urban dhe shpenzimet e kredisë për autobusët e rinj
Kostoja për kilometër*km – të hyrat nga biletat = fatura mujore për Komunën
5. Kur dikush nga komuna thotë lirimi nga pagesa nuk ka ndikim – rren. Ti mundesh me liru kategori nga pagesa por dikush duhet të paguajë. Ne kemi liru nga pagesa penzionerë, por si komunë kemi paguar për secilin penzionist që kemi liruar, sepse modeli e kërkon. Nuk mundesh me liru nga pagesa në fushatë e mas tre ditëve me met pa pare.
6. Transport publik pa subvencionim nga buxheti komunal nuk ka. Duhesh me pas linjë edhe me dy udhëtar e duhesh me pas linjë edhe me humbje për me motivu qytetarët mos me përdor kerre.
7. Modeli jonë është përdor si shembull nga Berzh. E kemi lënë marrëveshjen edhe për 30 autobusë të tjerë (8 elektrik) bazuar në përformancën në kredinë e parë. Pse nuk është bo nuk e di.
Dëmi është i madh për qytetarët. Faji është jetim. Përgjegjësia është e përbashkët. Lehtë është me prish. Vështirë është me ndreq dicka.

