75 Mall Live Search
21:56 / E Enjte, 18 Shkurt 2021 / OSH

Ahmeti për zgjedhjet: LDK pësoi debakël

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm me 47,85 për qind, duke lënë prapa Partinë Demokratike të Kosovës me 17,41 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 13,08 për qind.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka thënë se kalimi i Vjosa Osmanit në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ua ka lehtësuar simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ta votojnë partinë fituese.

“Dallimi më i madh prej 2010 kur kemi pasur zgjedhje industriale, kësaj radhe ka qenë edhe procesi më i thjeshtë, më i shpejtë, nuk rënë as ueb-faqja e KQZ-së dhe rezultatet kanë dalë tepër shpejt. Mendoj se kjo është njëra prej gjërave kyçe sepse nuk lë pastaj hapësirë që dikush ta kontestojë rezultatin”.

Ai ka shtuar se PDK ka dalë mirë në këto zgjedhje sepse ka mbajtur këtë numër të votave, ndërsa sipas tij, debakël ka pësuar LDK.

“Ka qenë kjo shpëtim për Avdullah Hotin dhe LDK-në për shkak se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar atë në momentin më të vështirë të qeverisjes kur gjendja ekonomike e shtetit është në krizë, ndërsa ka iniciuar disa ndryshime në LDK të cilat nuk do të ndodhnin – tash është një udhëkryq për LDK-në sepse ose do të kenë një ngritje ose do të vazhdojnë kështu me numra gjithmonë e më të vogël”.

Sipas Ahmetit, Osmani dhe Kurti vijnë nga dy shkolla të ndryshme politike dhe do të mund të mos pajtohen gjatë qeverisjes sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me ekonominë.

“Ose do ta ndryshojë qëndrimin Osmani dhe lista e saj ose do të bëjë Kurti kompromis – që unë mendoj se e para është më e mundshme se e dyta. Unë mendoj se nuk munden një parti e qendrës së djathtë dhe një e së majtës të thonë se i kanë politikat e njëjta”.

“Nga subjekti fitues flasin se prioritet do të jenë drejtësia dhe ekonomia, kur vjen fjala të ekonomia patjetër se do të ketë mospajtime ose dikush po na gënjen këtu se është i qendrës së djathtë apo i qendrës së majtë”.

“Natyrisht se ka shumë vota kundër klasës së vjetër politikë. Mendoj se vota në Prishtinë është votë reaksionarë që vjen nga një stërlodhje me qeveritë e ndryshme që konsiderojnë se nuk e meritojnë të qeverisin”.

“Shumica e votave vijnë nga qytetet e mëdha, por nuk janë militantë të VV-së, janë natyrisht simpatizantë, plot anëtarë dhe simpatizantë që vinë prej LDK-së e që mendoj se Osmani ua ka lehtësuar që ta votojnë VV-në.

“Për disa njerëz që i di unë që thonë se jam deri në vdekje në LDK, kalimi i Osmanit ua ka lehtësuar atë dilemën se a mund ta votojnë VV-në apo jo dhe definitivisht ka një frymë shumë të madhe kundër klasës së vjetër politike”.