16:26 / E Diele, 22 Shtator 2019 / indeksADMonline

Ahmeti: Tërmetet s’mund të parashikohen, por ja si duhet të mbrohemi!

Një tërmet i fortë dje ka goditur Shqipërinë, derisa qytetet më të prekura ishin Durrësi dhe Tirana.

Por, dridhjet u dëgjuan edhe në Kosovë, për shkak të afërsisë më shtetin fqinj.

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherit bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë Facebook ka treguar pse ndodhin tërmetet, teksa ka thënë se edhe Kosova është e rrezikuar nga këto goditje teknonike.

“Tërmetet ndodhin për shkak të lëvizjes së pllakave tektonike, lëvizjes së kores së tokës apo shpërthimeve shumë të mëdha që lëshojnë shumë energji, dhe si pasojë ndodhë lëkundja e tokës (e njohur si tërmet).

Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të tërmeteve mjaftë të shpeshta që po ndodhin në Shqipëri.

Duket pas parasysh pozitën gjeografike por dhe afërsinë e vendit tonë me shtetin shqiptar, atëherë edhe ne mundë të jemi të rrezikuar prej këtyre tërmeteve të cilat mund të godasin krejt papritur dhe pa paralajmërim dhe mund të shkaktojnë dëme materiale por edhe të rrezikojnë jetën e qytetarëve të Kosovës, edhe pse vendi ynë nuk rezulton se ka një aktivitet të lartë sizmik”, ka shkruar Tahiri, përcjellë Indeksonline.

Tutje ai ka thënë se tërmetet nuk mund të parashikohen apo parandalohen, por ne mund të mësojmë se si të mbrohemi prej tyre dhe si duhet të veprojmë në raste të tilla, në mënyrë që pasojat të jenë sa më të vogla.

Gjithashtu Tahiri ka bërë edhe një sërë rekomandimesh se në rast se ndodhin tërmetet si duhet të mbrohemi.

Ky është postimi:

Çfarë duhet të bëni gjatë një tërmeti?

Tërmetet mund të godasin krejt papritur dhe pa paralajmërim, e rëndësishme është që që në dridhjen e parë mundësishtë të merrni masa mbrojtëse.
Më poshtë janë disa informacione bazike si duhet të veproni gjatë një tërmeti.

– Qëndroni poshtë dyerve
Kjo është një gjë që dihet, por gjithsesi që duhet edhe zbatuar. Gjatë një tërmeti, nëse ndodheni në një vend të mbyllur qëndroni poshtë dyerve dhe mundësisht afër një kolone betoni. Edhe trarët e çative ju mbrojnë nga një shembje e mundshme.

– Futuni poshtë tavolinës
Gjatë tërmetit është e rrezikshme të qëndroni pranë objekteve që lëvizin, pasi mund t’iu bien sipër, kështu që mund të futeni edhe poshtë tavolinës.

– Mos vraponi drejt shkallëve, apo ashensorit
Në të vërtetë shkallët janë pjesa më e dobët e një ndërtese, por nga frika njerëzit tentojnë të dalin menjëherë nga banesa. Madje edhe ashensori nuk duhet të përdoret pasi bllokohet.

– Largohuni nga objektet në ndërtim
Nëse gjatë kohës së tërmetit ndodheni jashtë, mos qëndroni afër objekteve në ndërtim, apo dhe linjave elektrike, pasi mund të bien dhe tu zënë poshtë.

– Qëndroni larg liqeneve, plazheve dhe urave
Gjatë tërmetit dhe minutat pas lëkundjeve, largohuni nga brigjet e liqeneve apo plazhet, pasi mund të ketë një rritje të intensitetit të valëve, në atë që zakonisht quhet cunami. Nëse jeni në automjet shmangni qëndrimin në ura apo rrugë të paqëndrueshme.