AIP-i gjobit KESCO-n për shkeljen e të dhënave personale të konsumatorëve

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shqiptuar gjobë ndaj Kompanisë kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, për shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në njoftimin e tyre thuhet se AIP-i ka ndërmarrë këtë veprim si pasojë e për mosmarrjes së masave të nevojshme të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët nga ana e KESCO-s.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi ka pranuar disa ankesa nga qytetarët (subjektet e të dhënave) lidhur me veprimin se KESCO ka shpërndarë faturat mujore për shpenzimin e energjisë elektrike duke mos i aplikuar masat e sigurisë dhe duke i lënë qasje personave të paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve”, vazhdon njoftimi në Facebook.
Sipas agjencisë, ky veprim i KESCO-s ka ardhur pas fushatës ndërgjegjësuese që agjencia ka zhvilluar në muajin shkurt të vitit 2024, me të gjitha kompanitë që bëjnë shpërndarjen e faturave, me ç ‘rast ka kërkuar zbatimin e detyrimeve ligjore që këto kompani kanë ndaj konsumatorëve.