AIP u bën thirrje partive politike të respektojnë privatësinë e qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale

Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka përsëritur thirrjen drejtuar partive dhe subjekteve politike që të respektojnë dhe mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë fushatës dhe ditës së votimit më 12 tetor 2025.
Në një deklaratë për media, AIP thekson rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Agjencia u kërkon partive dhe subjekteve politike që të:
- sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazë ligjore, si p.sh. pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;
- mos përdorin të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik;
- mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazheve (SMS) apo thirrjeve telefonike pa pëlqim paraprak;
- respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit;
- shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale kur është e nevojshme;
- sigurojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika të qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme.