75 Mall Live Search
11:06 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / F.R

“Air Canada” anulon fluturimet, shkak greva e ekuipazhit ajror

“Air Canada”, kompania ajrore më e madhe në vend, do të nisë të enjten anulimin gradual të fluturimeve, pasi sindikata që përfaqëson ekuipazhin ajror lëshoi një njoftim 72-orësh për grevë.

Në një deklaratë, “Air Canada” paralajmëroi se pasagjerët që nuk kanë konfirmuar fluturimet e tyre nuk duhet të paraqiten në aeroport, pasi kompania do të fillojë reduktimin e fluturimeve.

Sindikatat e ekuipazhit që përfshin 10,000 punonjës, thanë se kishin negociuar në mirëbesim, por kompania kishte refuzuar të adresonte kërkesat kryesore, përfshirë rritjen e pagave dhe kompensimin për punën e papaguar.

“Air Canada”, nga ana tjetër, lëshoi një njoftim për bllokim prej 72 orësh, duke akuzuar sindikatën për kërkesa të “tejskajshme” dhe për refuzimin e ndërmjetësimit të detyruar nga palë të treta.

Kompania me seli në Montreal, e cila operon në 64 vende me një flotë prej 259 avionësh, tha se ndërprerja e paplanifikuar e shërbimeve përbën një rrezik të madh, si për kompaninë, ashtu edhe për punonjësit. Rreth 130,000 pasagjerë në ditë, përfshirë 25,000 kanadezë, mund të preken gjatë sezonit kulmor të udhëtimeve verore.

“Air Canada” tha se po pozicionon strategjikisht avionët dhe ekuipazhet përpara ndërprerjes së mundshme, në mënyrë që të mund të realizojë mirëmbajtjet rutinë dhe të rifillojë sa më shpejt fluturimet pas grevës.

Fluturimet e para të prekura do të jenë ato të ” Air Canada” dhe “Air Canada Rouge”, të enjten, ndërsa fluturime të tjera do të anulohen të premten. Kompania njoftoi se të gjitha fluturimet do të ndalojnë tërësisht të shtunën.

Fluturimet “Air Canada Express”, që përbëjnë rreth 20% të pasagjerëve të përditshëm të kompanisë, nuk do të preken.

Pasagjerët me fluturime të anuluara do të njoftohen dhe do të marrin rimbursim të plotë, tha kompania. “Air Canada” gjithashtu ka bërë marrëveshje me kompani të tjera ajrore kanadeze dhe të huaja për të ofruar alternativa udhëtimi për klientët. Sidoqoftë, këto opsione mund të kërkojnë kohë dhe nuk janë të garantuara menjëherë.