75 Mall Live Search
12:47 / E Mërkurë, 08 Tetor 2025 / MSH

Ajeti apelon sulmuesit kuqezinj: Ndaj Serbisë duhet shfrytëzuar çdo rast i krijuar

Arlind Ajeti, një nga titullarët e mbrojtjes së kombëtares sonë në epokën e trajnerit Sylvinho, është munduar të mbajë “profil të ulët” para ndeshjes ndaj Serbisë, teksa ka folur në konferencën e shtypit. Rrethanat, por dhe rëndësia e kësaj përballjeje vendimtare për kualifikim në Botërorin 2026 i shtyjnë kuqezinjtë të “mos fluturojnë pa krahë”.

Si është përgatitja e kësaj sfide në aspektin emocional, ndaj një kundërshtari me të cilin historia na ka përballur më shumë jashtë futbollit?

“Normalisht që emocionet i kemi para çdo ndeshjeje. Ne mundohemi t’i shohim të gjitha si ndeshje futbolli. Të jemi profesionistë dhe të marrim tri pikët, ky është synimi. Ndeshja do të jetë e vështirë si në aspektin futbollistik, edhe emocionalisht”.

Cilat janë pikat e forta të Serbisë në sulm, çfarë ambienti prisni atje?

“Besoj se Serbia ka futbollistë të mirë, me cilësi të lartë në çdo pozicion. Ata kanë në sulm lojtarë si Mitrovic, shumë i fortë. Vlahovic ka pasur ndeshje të mira me Juventusin. Do t’i analizojmë dhe shpresoj të jemi të përgatitur.”

Në “Air Albania” bëtë mirë, a do jetë e vështirë ta mbani portën të paprekur edhe atje?

“Sigurisht, atje do të jetë më e vështirë. Çdo ndeshje jashtë fushe është më e vështirë, atje nuk do t’i kemi tifozët tanë mbështetje. Sidoqoftë, do të japim maksimumin si në çdo ndeshje”.

Jeni lider me Gjimshitin në mbrojtje, çfarë këshille u jepni sulmuesve?

“Këshillat nuk duhet t’i japim ne, shpresojmë që rastet e krijuara t’i shfrytëzojmë maksimalisht. Do të provojmë ta mbajmë portën të pastër, sulmuesit e dinë vetë çfarë duhet të bëjnë.”