Ajeti rikthehet pas 2 vitesh në Kombëtare, jep premtimin e madh

Ai ishte një nga shtyllat e mbrojtjes kuqezi në finalet e “Euro 2016”. Sidomos në ndeshjen ndaj Francës, në atë kompeticion historik të kombëtares sonë, bëri një shfaqje mbresëlënëse. Megjithatë, më pas karriera e tij ka pasur luhatje të shumta, derisa aktualisht luan në Serie C të Italisë.
Gjithsesi, në kushtet e mungesave të Gjimshitit dhe Kumbullës, ai është grumbulluar nga Edy Reja për dy kualifikueset e këtij muaji në Ligën e Kombeve, ndaj Izraelit dhe Islandës. Po flasim për Arlind Ajetin, i cili sot ka dalë në konferencë për shtyp nga Durrësi, ku kombëtarja ka filluar përgatitjet për dy sfidat përmbyllëse të kësaj fushate eliminatore:
“Ndaj Izraelit dhe Islandës janë ndeshje vendimtare. Nuk e kemi filluar ende stërvitjen, sapo jemi bashkuar. Kemi kohë për t’u përgatitur, do të japim maksimumin. Rikthimi im në kombëtare? Lojtarët janë të rinj, për mua s’ka rëndësi.
Është kënaqësi të jesh me kombëtaren, sa herë ftohem jam shumë i kënaqur. Kam luajtur katër ndeshje të plota në Itali, nuk mund të them nëse e prisja ftesën apo jo nga trajneri Reja. Kam objektiv të jem me grupin, jam gati, për të tjerat vendos trajneri.
Kemi lojtarë me kualitet të dëmtuar, sidomos në mbrojtje, ndaj po luajta do të jap maksimumin. Të zëvendësosh lojtarë të tillë është e vështirë. Personalisht mundohem të jap më të mirën, si më 2016. Kualiteti i grupit kuqezi është i lartë, ka cilësi, sepse lojtarët luajnë me ekipe të mëdhenj. Patjetër, e duam suksesin si në Europianin 2016.
Futbolli është edhe fat, duhet të gjendesh në momentin dhe vendin e duhur. Fatkeqësisht kemi dëmtime, por me këtë ekip do të bëjmë më të mirën. Dy fitore për kreun? Na presin dy kundërshtarë të fortë. Të përgatisim mirë Izraelin për tri pikët, pastaj të shohim. Ndaj Islandës do të luajmë para tifozëve tanë dhe morali do të jetë I lartë. Kuptohet, nëse kalojme me sukses transfertën izraelite”.