75 Mall Live Search
11:05 / E Enjte, 12 Mars 2026 / S Z

Ajri që vret/ Mbi 1.100 vdekje në vit në Kosovë lidhen me ndotjen e ajrit

Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze sa i përket cilësisë së ajrit të ambientit, që rezulton me efekte negative shëndetësore në të gjithë popullatën, si sëmundjet kardiovaskulare, frymëmarrjes dhe vdekshmërinë e parakohshme.

 Me gjithë përmirësimet, cilësia e ajrit në Kosovë mbetet shqetësuese, sidomos kur krahasohet me udhëzimet e OBSH-së të vitit 2021, edhe pse, prirjet aktuale tregojnë një përafrim me objektivat e BE-së për cilësinë e ajrit deri në vitin 2030.

Sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, cilësia e ajrit në vend mbetet shqetësuese, sidomos gjatë muajve të dimrit kur rriten ndjeshëm përqendrimet e grimcave të rrezikshme PM10 dhe PM2.5.

Sipas raportot të IKSHPK-së të dhënat nga 12 stacione automatike të monitorimit tregojnë se qytete si Prishtina, Drenasi, Mitrovica, Hani i Elezit, Obiliqi dhe Gjilani përballen rregullisht me tejkalime të vlerave të lejuara për ndotësit kryesorë të ajrit.

Në periudhat e smogut dimëror, niveli i PM10 ka arritur deri në 198 µg/m3 në vitin 2022 dhe 149.5 µg/m3 në vitin 2023, ndërsa grimcat PM2.5 kanë arritur deri në 165 µg/m3 gjatë janarit të vitit 2025.

Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin e qytetarëve. Instituti thekson se gjatë muajve të ftohtë rritet dukshëm numri i vizitave dhe pranimeve spitalore për sëmundje të zemrës dhe të frymëmarrjes.

Studimet tregojnë se ndikimi është alarmant. Një hulumtim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka gjetur se në Prishtinë 6 në çdo 1000 vdekje lidhen me ndotjen e ajrit. Ndërkohë, një vlerësim i ndikimit në shëndet tregon se rreth 1,150 vdekje në vit në Kosovë i atribuohen niveleve aktuale të grimcave PM2.5, që përbëjnë rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet n[ raport..

Barra totale e vlerësuar e sëmundjeve që i atribuohet ekspozimeve ndaj PM2.5 është 276 vdekje të atribueshme.

Shkalla më e lartë e vdekshmërisë nga shkaqe specifike që i atribuohet Ndotjes së Ajrit të Ambientit (NAA), është vlerësuar për Sëmundjet Iskemike të Zemrës (SIZ) dhe goditjen në tru (9.4 dhe 8.8 për 100 000 banorë në rrezik), ndërsa për kancerin e mushkërive dhe SPOK, normat janë më të ulëta (4.1 dhe 2.6)./Indeksonline/