75 Mall Live Search
21:05 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / Z S

AKB shënon 23-vjetorin e themelimit, theksohet roli i ekonomisë në forcimin e shtetit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shënuar 23-vjetorin e themelimit me një ceremoni të mbajtur në Vushtrri, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve vendore.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se që nga themelimi në vitin 2002, misioni i organizatës ka qenë fuqizimi i prodhimit vendor dhe mbështetja e pavarësisë ekonomike të vendit.

“Mirë se keni ardhur në 23-vjetorin e themelimit të AKB. Sot feston rrugëtimin e aleancës që nga dita e parë ka besuar që ekonomia është gjaku që mban pavarësinë tonë. Nga viti 2002 kur u themelua kishte një qëllim që të bëntë një zë të fuqishëm dhe të dëgjohet, të promovohet prodhimi vendor, në atë kohë kishte më shumë ëndrra se fabrika, më shumë guxim se kapital. Suksesi nuk është final dhe dështimi nuk është fatal, guximi është për të vazhduar tutje. Sot AKB ka mbi 10 mijë anëtarë, që përfaqësojnë kreativitetin e ndërmarrësisë kosovare. AKB organizatë e guximshme kemi dëshmuar se është më shumë organizatë ekonomike, mision i prodhimit vendor ka qenë dhe mbetet mision kapital. Ne për 23 vite kemi krijuar një të ardhme më të mirë për ekonominë e Kosovës. Është histori që ecën përpara me kokë lartë dhe flamur përpara. Në çdo takim ndërkombëtar ne kemi përfaqësuar dinjitetin tonë kombëtar, kemi dëshmuar se Kosova është jo vetëm një vend që ka politikë, por vlerë, inovacion dhe besim në vetvete. 23 vjet ishim në ndërtim, vitet po vijnë dhe po shkojnë, kurse ne duhet të transformohemi, duam të bëjmë një qendër të prodhimit, eksportit. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë flamurin e Kosovës lart në çdo vend ku ekonomia i jep dinjitet shtetit.”

Në fjalën e tij, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, vlerësoi kontributin e sektorit privat në mirëqenien e përgjithshme.

“Ne ekzistojmë si popull me kornizën politike institucionale dhe gjithë kjo normë ushqehet prej ekonomisë, çdo angazhim ynë si normë ushqehet prej jush, çdo pagë e sektorit publik ju e paguani. Çdo blerje që e bëjmë për polici, ushtri, mjek, ju e mbushni buxhetin, çdo pagë e familjeve që punojnë tek ju. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë si Kosovë, e dimë që përpos asaj që është resurs i brendshëm, ne duhet ta thithim çdo resurs potencial. Ekziston një mundësi që me thirrje prej këtyre projeksioneve shumë financa dhe projekte. Ne kishim mundur të jemi të privilegjuar në shumë marrëdhënie tona. Nuk është rastësi që bankat thonë nuk kemi depozita dhe kamatat janë rritur, nuk është rastësi që partnerët vonohen në marrëdhënie kontraktuale. Të gjitha janë me na edukuar që me kuptu si të bashkëpunohet me investitorin e madh, i cili është Amerika. Në kuadër të këtij investimi ne jemi nikoqir dhe duhet të sillemi me bujari dhe njerëzillëk. Kur e lë biznesin e Kosovës pa një mbështetës siç janë institucionet e vendit, kuptohet që do të ngecim dhe të tjerët përfitojnë”, tha Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, u shpreh se qyteti ka potencial të madh për zhvillim ekonomik, sidomos në fushën e agroturizmit.

“Po bëjmë një punë të shkëlqyer edhe kësaj radhe mbahet në qytetin e Vushtrrisë, në qytetin e kulturës sepse edhe prodhimet janë formë e kulturës. Komuna e Vushtrrisë si komunë e vogël ka një potencial shumë të mirë të zhvillimit të bizneseve sepse lidhet shumë relievi në malet lindore që ofrojnë kushte të mira për zhvillimin e agroturizmit”, shtoi ai.

Ndërsa drejtoresha menaxhuese e AKB-së, Lumnije Ajdini, falënderoi anëtarët për përkushtimin e tyre, duke theksuar se AKB ka dëshmuar për 23 vite se është “zë i fuqishëm i sektorit privat dhe promotor i zhvillimit ekonomik në Kosovë”.

“Me rastin e 23-vjetorit të themelimit të AKB-së, ju përcjellim urimet më të sinqerta për punën e përbashkët, përkushtimin dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm për 23 vite në AKB. Në këto 23 vite, AKB ka dëshmuar se është zë i fuqishëm i sektorit privat dhe promotor i zhvillimit ekonomik, duke krijuar partneritet bashkëpunimi mes bizneseve dhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, shtoi ajo