75 Mall Live Search
09:33 / E Martë, 20 Janar 2026 / S Z

AKB: Vendimi për pagën minimale u mor pa dialog dhe po shtyn bizneset drejt informalitetit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) vlerëson se përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe rritja e pagës minimale është një qëllim i drejtë dhe i nevojshëm në funksion të zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.

Megjithatë, AKB-ja shpreh shqetësimin e saj lidhur me mënyrën se si është marrë vendimi për rritjen e pagës minimale, pa konsultime paraprake me sektorin privat, pa një analizë të plotë të ndikimit financiar dhe pa vlerësim të rrezikut që ky vendim paraqet për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shumicën e ekonomisë së Kosovës.

Mungesa e një analize gjithëpërfshirëse rrit rrezikun që një pjesë e bizneseve, të paafta për të përballuar kostot shtesë, të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar qëllimin e deklaruar të këtij vendimi.

AKB-ja thekson se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por kërkon që vendime të tilla të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatat, dhe të shoqërohen me masa lehtësuese fiskale apo mbështetëse, veçanërisht për bizneset e vogla.

Në të njëjtën kohë, AKB-ja shpreh indinjatën e saj për faktin se edhe në këtë rast veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë apo trajtuar me politika të veçanta mbështetëse, pavarësisht rolit dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit. Çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie.

AKB-ja fton Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja negative për ekonominë formale tha në fund Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.