Akil Gjakova ia sjell medaljen e katërt Kosovës në Lojërat Mesdhetare Oran 2022

Xhudisti Akil Gjakova është bërë mashkulli i parë nga ekipet e Kosovës që ia sjell Kosovës një tjetër medalje nga Lojërat Mesdhetare Oran 2022.
Gjakova ishte në garë për medaljen e bronztë, ku edhe e fitoi atë kundër xhudistit italian, Manuel Lombardo.
Në kuadër të kategorisë deri në 73 kilogramë, Gjakova e mposhti Lombardon me Wazaari në një luftë që zgjati 7:28 minuta, kështu duke e siguruar medaljen e bronztë dhe duke ia sjellë Kosovës medaljen e katërt nga Algjeria.
Ndërkaq, në garën për të siguruar medaljen e bronztë, raundin e parë Akili e kaloi pa luftë, kurse në çerekfinale xhudisti ynë fitoi me ippon ndaj grekut Michail Tsoutlasvili.
Më pas, Gjakova u përball me algjerianin, Redouane Messaud, nga i cili u mund me shënim të artë, ku më pas vazhdoi në repesazh ku edhe e siguroi medaljen e bronztë.