AKK-ja kërkon lëshimin e qarkores së dytë buxhetore

Aosciacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim për mos lëshimin e qarkores së dytë buxhetore nga ana e Ministrisë së Financave.
Sipas AKK-së, mos lëshimi me kohë i qarkores së dytë përbën shkelje të afateve ligjore, të përcaktuara me Ligjin për menaxhimin e financave publike.
“Kjo neglizhencë mund të sjellë deri të bllokimi i procesit buxhetor komunal. Komunat, pa tavane dhe udhëzime buxhetore, nuk mund të përgatisin projektbuxhetet për vitin e ardhshëm. Si rrjedhojë, rrezikohet vonesa në miratimin e buxheteve komunale dhe funksionimi normal i shërbimeve publike. Me 01 shtator 2025 komunat e kanë obligim me e dorëzu në kuvende komunale projekt buxhetet e tyre për vitin 2026” deklaroi kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi.
Sipas Ibrahimit, nga kjo gjë dëmtohen edhe qytetarët, pasi prekë projektet për shkolla, çerdhe, rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe shërbime bazike komunale.
“Duke marë parasysh që jemi në vit zgjedhor lokal, kjo vonesë mund të merr edhe dimension politik, duke krijuar dyshime të arsyeshme se qeveria po përdor instrumente financiare për të bllokuar punën e komunave dhe për të kufizuar zhvillimin e projekteve në nivel lokal.
Prandaj AKK-ja kërkon që Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës të lëshojë menjëherë qarkoren e dytë buxhetore, pa vonesë të mëtejme, të respektohen me përpikmëri afatet ligjore të kalendarit buxhetor dhe të sigurohet trajtim i barabartë dhe i drejtë për të gjitha komunat” shtoi Ibrahimi.
Ai kërkoi po ashtu ndalimin e praktikave që bllokojnë funksionimin e pushtetit lokal./IndeksOnline/