75 Mall Live Search
16:27 / E Shtunë, 18 Tetor 2025 / MSH

AKK-ja kërkon nga Ministria të shtyjë afatin për vendimmarrje rreth buxheteve komunale

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me mos miratimin e buxhetit për vitin fiskal, në disa komuna të vendit.

Drejtori i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka thënë për IndeksOnline se AKK-ja ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyrjen e afatit për vendimmarrje lidhur me buxhetet komunale, me qëllim që komunat të kenë hapësirë për të përfunduar procedurat e nevojshme, pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Aktualisht, 11 komuna të Kosovës ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin fiskal: Viti, Lipjan, Vushtrri, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Suharekë.

Kjo situatë është reflektim i rrethanave të jashtëzakonshme, pasi vendi është në proces zgjedhor, ndërsa më 09 nëntor mbahet edhe balotazhi në disa komuna, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e kuvendeve komunale dhe procesin e miratimit të buxheteve” ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, është e rëndësishme që komunat e lartpërmendura të miratojnë buxhetin para se Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë buxhetin e shtetit, në mënyrë që të përfshihen buxhetet komunale në miratim të përbashkët me buxhetin e përgjithshëm të shtetit.

“Ky hap është thelbësor për të shmangur pasojat e financimit me 1/12, për të siguruar vazhdimësinë e projekteve kapitale dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët” shtoi Ibrahimi.