AKK-ja kërkon të hyrat vetanake të komunave, thotë se po i bllokon Ministria e Financave

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që sa më shpejt të bëjë bartjen e mjeteve financiare të Komunave, nga rritja e të hyrave vetanake nga viti që lëmë pas.
Nga AKK-ja thonë se “këto mjete janë të komunave dhe duket shumë absurde që mjetet e komunave të bllokohen nga niveli qendror”.
Sipas udhëheqësit të këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, bëhet fjalë për mos bartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, të hyra këto që kapin shifrën e miliona eurosh.
“Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarritë pa asnjë arsye” ka thënë ai.
Ibrahimi thotë se duhet ditur se MFPT-ja e ka obligim ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të tyre.
Sipas tij, bllokimi që po bën niveli qendror lidhur me këto të hyra i rrezikon komunat në pamundësimin e procedimit të projekteve për të cilat janë destinuar.
“Pra, komunat edhe pse i kanë të destinuara këto mjete për investime kapitale, pra për përmirësimin e jetës së qytetarëve, kjo nuk mund të ndodhë për shkak pengesave të shkaktuara nga niveli qendror. Komunat janë në pritje të bartjes së të hyrave nga rritja e realizuar nga vete Komunat” deklaroi ai.
Nga AKK-ja i kanë bërë thirrje dhe ftesë publike ministrit Hekuran Murati të ndërmarrë veprimet konkrete ligjore për realizimin e kësaj kërkese.