AKK: Komunat shpenzuan 93% të buxhetit për investime kapitale në vitin 2025
Komunat e Kosovës kanë arritur të realizojnë 93 për qind të buxhetit të planifikuar për shpenzime kapitale gjatë vitit 2025, duke shënuar një nivel të lartë të efikasitetit financiar dhe menaxherial në nivel lokal.
Kështu ka bërë të ditur për IndeksOnline kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.
Ai ka theksuar se ky nivel realizimi është dukshëm më i lartë se mesatarja e nivelit qendror.
“Ky realizim prej 93 për qind është arritur në kushte jashtëzakonisht të vështira, megjithatë komunat kanë arritur të ruajnë stabilitetin financiar dhe fokusin zhvillimor, pa e sakrifikuar buxhetin kapital”, ka deklaruar Ibrahimi.
Sipas tij, ky sukses është rezultat i disa faktorëve kyç, si vendimmarrja më e shpejtë dhe më afër qytetarit, njohja e saktë e nevojave lokale, mbikëqyrja më e drejtpërdrejtë e projekteve si dhe përgjegjësia më e madhe politike dhe administrative.
Ibrahimi ka theksuar se ky nivel i realizimit dëshmon qartë se decentralizimi funksionon kur komunave u jepet hapësira e nevojshme për veprim.
“Me 93 për qind realizim të shpenzimeve kapitale, komunat e Kosovës dëshmojnë se janë niveli më efikas i qeverisjes publike dhe mund të jenë motori kryesor i zhvillimit lokal”, ka shtuar ai.
Sipas AKK-së, ky rezultat përbën një argument të fortë për rritjen e autonomisë financiare të komunave, fuqizimin e grantit komunal dhe ndërtimin e një besimi më të madh institucional ndaj qeverisjes lokale.

