AKK: Qeveria vazhdon bllokimin e xhirollogarive të Komunës së Deçanit

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar për bllokimin e xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm.
Ky nuk është rast i izoluar, por dëshmi se qeveria po përdor mekanizmat institucionalë për të bllokuar funksionimin normal të komunave, ka thënë drejtori ekzekutiv Sazan Ibrahimi.
Gjatë një bisede telefonike me z. Bashkim Ramosaj, kryetarin e Komunës së Deçanit, AKK-ja është informuar se ky bllokim, përveç pasojave të drejtpërdrejta në shërbimet komunale, po perceptohet edhe si veprim politik, pasi ndodh ndaj një komune e cila udhëhiqet nga një parti që nuk është pjesë e pushtetit qendror. Këto veprime të nivelit qëndror po krijonë pasoja si në vijim:
Ndëshkojnë qytetarët, duke ua pamundësuar përfitimin nga shërbimet dhe investimet publike. Pengojnë realizimin e projekteve kapitale, sidomos në një vit zgjedhor lokal, kur komunat duhet të japin llogari para qytetarëve, transmeton Klankosova.tv.
Shkelin parimin e barazisë dhe të vetëqeverisjes lokale, të garantuar nga Kushtetuta dhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale.
Asociacioni i Komunave të Kosovës e konsideron këtë qasje të qeverisë si presion të papranueshëm ndaj pushtetit lokal, i cili rrezikon të minojë themelet e demokracisë lokale dhe të krijojë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
AKK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të heqë bllokimet dhe të garantojë funksionimin e lirë të komunave, në mënyrë që qytetarët të mos bëhen viktimë e këtyre veprimeve.