AKK: Sulmet e Haxhiut ndaj Tahirit janë të papranueshme dhe tentim ndikimi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kërcënuar me ngritje të kallëzimit penal ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, në rast se nuk ndalen punimet e ri-filluara nga kompania, së cilës i është ndërprerë kontrata, në pronën e “Hotel Vicianum”.
Haxhiu këto deklarime i ka bërë nëpërmjet një postimi në llogarinë ‘Facebook’, teksa ia ka bashkëngjitur një dokument, në të cilin njoftohet për ndërprerje të kontratës për kompaninë në fjalë.
E për këtë ka reagur Asociacioni i Komunave të Kosovës. Sipas tyre një qasje e tillë e ministres Haxhiu është e papranueshme.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe reagimin e vetë si organizëm i të gjithë Kryetarëve të Komunave të Kosovës lidhur me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z.Xhafer Tahiri”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Ata tutje i kanë bërë thirrje Haxhiut të tërheqë kërcënimin publik ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Tahiri.