AKP bartë 43,2 milionë € në Fondin e Konsoliduar të Kosovës
Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.
Në këtë takim Bordi miratoi propozimin për transferim të “Fondeve të Mbetura” të likuidimit prej 2,2 milionë EUR në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës si dhe propozimin për transferim të “Fondeve të Përkohshme” të likuidimit prej 41 milionë EUR në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, pra në total 43,2 milionë euro.
“Për më tepër Bordi miratoi propozimin e listës së Shitjes së Aseteve në Likuidim Nr.45 si dhe transakcionet e Shitjes së Aseteve në Likuidim Nr.43A. Në këtë takim u miratuan edhe Raportet për Përcaktim të Statusit si Ndërmarrje Shoqërore për “Studentcani”, “Banka e Vojvodinës” dhe “Vijak”, ku u konstatua se këto ndërmarrje bien në kompetencë të AKP-së. Ndërsa pas shqyrtimit të Raportit për ndërmarrjen “Serbia Shume” u konstatua se kjo ndërmarrje nuk bie në kompetencë të AKP-së”, thuhet në komunikatën për media.
Bordi shqyrtoi dhe miratoi qiradhëniet e aseteve të ndërmarrjes shoqërore “Jatex” në Administrim Direkt dhe mori gjithashtu disa vendime lidhur me qiradhënie si dhe rritjen e buxhetit të disa ndërmarrjeve shoqërore ne likuidim.