75 Mall Live Search
16:39 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

​AKP pranon dorëheqjen e Gashit, ushtrues detyre cakton zëvendësin e tij

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka njoftuar se zyrtarisht kanë marrë dorëheqjen e kryesuesit të bordit, Petrit Gashit.

Përmes një komunikate për media, ky bord ka thënë se do vazhdojnë me punë të rregullt dhe se bordi i tyre është plotësisht funksional.

Ky është njoftimi i tyre:

Prishtinë – Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është njoftuar zyrtarisht nga z. Petrit Gashi me dorëheqjen që ai e ka dorëzuar dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, institucioni që sipas Ligjit të AKP-së i zgjedh të gjithë anëtarët e Bordit të Drejtorëve.

Bordi i Drejtorëve shpreh keqardhje për vendimin e njëanshëm të z.Gashi për dorëheqje dhe thekson se pas dorëheqjes së kryesuesit të Bordit, këtë detyrë do ta ushtroj zëvendës kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, z. Bajram Zejnullahu, sipas Ligjit të AKP-së dhe akteve nënligjore që rregullojnë punën dhe veprimtarinë e Bordit të Drejtorëve.

Bordi ka gjithsej tetë anëtarë, ndërkaq me shtatë anëtarë që janë me mandat ligjor Bordi është plotësisht funksional për të mbajtur mbledhje e për të marrë vendime./Indeksonline/