14:37 / E Martë, 05 Shtator 2023 / S Z

AKP brenda një muaji inkason mbi 1.2 milion euro nga borxhet e qiramarrësve të aseteve të NSh-ve

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka zhvilluar mbledhjen e radhës, në të cilën përveç aktiviteteve të parapara të AKP-së, Bordi u informua edhe për punën e menaxhmentit të kësaj Agjencie për periudhën paraprake.

Po ashtu, në këtë mbledhje, Bordi u informua lidhur me raportin e zbatueshmërisë së pikës së veprimit të lëshuar nga Bordi lidhur me borxhet e qirave.

Pas jo më shumë se një muaj, nga udhëzimet e Bordit të Drejtorëve, AKP ka arritur që të inkasoj mbi 1.226.000,00 € nga borxhet e qiramarrësve të aseteve të NSh-ve.

Ndër të tjera, Bordi i Drejtorëve të AKP-së gjatë kësaj mbledhje ka shqyrtuar dhe miratuar:

– Raportin e Komisionit për Vlerësim të Performancës së Menaxhmentit të AKP-së për vitin 2022;

– Propozimin e Autoritetit të Likuidimit për shpërndarje për kreditorët e NSH-NHT Rugova-Pejë dhe NSh. magjistralja-Prishtinë;

– Rregulloren për heqje dorë nga asetet në likuidim sipas nenit 18.3.1 dhe nenit 18.3.2 i Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në;

– Kërkesën nga komuna e Ferizajt për dhënien e pëlqimit për kryerjen e punimeve të dëmeve në objektet shkollore përballë pallatit të sporteve Bill Clinton – Ferizaj, pronë e NSH Plantacioni.

– Plotësim/ndryshimin e Rregullores për organizim të brendshëm dhe sistematizim të vendeve të punës;

– Janë aprovuar pikat e rendit të ditës që ndërlidhen me qiradhëniet;

– Është aprovuar raporti i Komisionit të banesave me ç’rast janë trajtuar 18 kërkesa të palëve.

Gjatë kësaj mbledhje, Bordi u njoftua lidhur me asetin në pronësi të NSh “Ramiz Sadiku” – lagjja Pejton në Prishtinë nga Njësia e Negocimit Direkt si dhe aprovoi 5 raporte fillestar për inicim të procedurës për shitje me negocim direkt që do t’i nënshtrohet procedurave të tjera të parapara me legjislacion për tu finalizuar shitja sipas raportit përfundimtar i cili do ti paraqitet Bordit për aprovim.